
Sa herë keni ndjerë mërzi? Ndoshta në pritje të gjatë te mjeku, gjatë një udhëtimi të zgjatur apo thjesht duke lexuar këtë artikull. Mërzia është një ndjenjë e zakonshme që në dukje duket negative, por që mund të shërbejë si një “alarm” për të ndryshuar diçka në jetën tonë.
Çfarë është mërzia?
Sipas ekspertëve si James Danckert, profesor i neuroshkencës, mërzia është një reagim ndaj mungesës së interesit ose kuptimit në atë që po bëjmë. Ajo na tregon se është koha të gjejmë një aktivitet më të vlefshëm dhe më stimuluese. Disa njerëz ‘dëgjojnë’ më mirë këtë sinjal dhe janë më të suksesshëm në përdorimin e mërzisë për të bërë ndryshime pozitive në jetën e tyre.
Erin Westgate, psikologe sociale, shton se mërzia shfaqet kur nuk kemi vëmendje për një aktivitet, qoftë sepse është shumë i lehtë, shumë i vështirë apo thjesht i pakuptimtë. Ajo mund të jetë momentale, si gjatë leximit të një libri të mërzitshëm, ose e vazhdueshme, si në një punë që nuk na kënaq.
Mos e ngatërro mërzinë me mungesën e aktiviteteve!
Një nga keqkuptimet më të mëdha është që mërzia ndodh kur nuk ke asgjë për të bërë. Në fakt, edhe një ditë plot detyra monotone mund të sjellë mërzi. Dhe ndonjëherë, njerëzit që janë shumë të zënë, me shumë aktivitete, në të vërtetë dëshirojnë pak më shumë qetësi, jo më shumë argëtim.
Si të shfrytëzojmë mërzinë në mënyrë pozitive?
Ekspertët këshillojnë që mërzia të perceptohet si një sinjal për të ndryshuar drejtimin. Mund të ndezësh një podcast gjatë një detyre të mërzitshme ose të kërkosh një aktivitet kreativ në YouTube. Në raste kur nuk ke mundësi të largohesh nga situata, përpiqu të gjesh kuptim në atë që po bën.
Mërzia nuk është gjithmonë e dëmshme, por nëse nuk menaxhohet mirë, mund të çojë në sjellje negative si vetëlëndim, ankth apo varësi nga alkooli dhe substanca të tjera.
Një tjetër gjetje interesante është se mërzia nuk nxit domosdoshmërisht kreativitetin; në fakt, aktivitete mesatarisht interesante, si dushi apo shëtitja, janë më efektive për frymëzim.
Çfarë të bësh kur ndihesh i mërzitur?
1.Merr mërzinë si sinjal për të gjetur diçka që vërtet të pëlqen dhe ka kuptim për ty.
2.Përdor mjetet teknologjike për të kaluar momente të shkurtra të mërzisë, por pa e bërë këtë zakon.
3.Përpiqu të ndryshosh perspektivën për situatat e mërzitshme, duke i parë si pjesë të rëndësishme të jetës.
4.Mos harro: pak mërzi është e dobishme për të zbuluar interesa të reja dhe për të zhvilluar vetveten.
Jeta nuk ka pse të jetë një mjegull monotone e vazhdueshme, as nuk ka pse të jetë vazhdimisht emocionuese dhe e lumtur. Sipas, Van Tilburg, pak mërzitje është e dobishme për të zbuluar gjëra të reja dhe për të zhvilluar interesa të reja.