
Do të mbahen më 27 maj homazhet në Akademinë e Shkencave homazhet në nder të Artan Lames.
Ish-kreu i Kadastrës dhe një prej kontribuuesve të rëndësishëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare teksa ndodhej në Gjermani për një ndërhyrje në zemër.
Homazhet në nder të Lames do të nisin në orën 10:00 deri në orën 12;00 të ditës së martë, ku gjithashtu do të mbahet edhe fjalimi i Lamtumirës në kujtim të tij.
I lindur në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, një figurë e njohur në jetën publike të vendit, 58-vjeçari ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme. Ai ka shërbyer si zëvendësministër i Turizmit, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t dhe Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Po ashtu ka qenë veprimtar i shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, ndërsa ka dhënë edhe kontribut si publicist, opinionist dhe studiues i historisë shqiptare. Përveç angazhimeve shtetërore, ai njihet edhe për pasionin e tij të thellë për historinë dhe për kontributin si një nga koleksionistët më të mirë në vend.
Si publicist, në vitin 2010 ai u vlerësua me çmimin “Book of the Year” nga MIC London për librin “Medaljet Shqiptare 1914–2002″. Në vitin 2012, Lame u dekorua nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes” për aktivitetet e 100-vjetorit të Pavarësisë.